Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po merr pjesë në Samitin e 9-të të Bosforit që po mbahet në Stamboll.
Në fjalën e tij, në panelin “Liderët e rinj”, ministri Beqaj në emër të Republikës së Kosovës ka theksuar se si shteti më i ri në Evropë dhe me popullatën më të re në moshë, Kosova e ka shumë të rëndësishme përfshirjen e rinisë në vendimmarrje dhe rolin aktiv të saj në shoqëri.
“Shpesh kemi dëgjuar që të rinjtë janë e ardhmja. Ata janë liderët e të sotmes dhe së ardhmes”, tha ministri Beqaj në Samitin e 9-të të Bosforit në Stamboll të Turqisë.
Po ashtu ai ka folur edhe për perspektivën ekonomike të Kosovës dhe për mundësitë e saj për zhvillim, duke pasur parasysh popullatën e re dhe të shkathtë, karshi trendeve globale të teknologjisë dhe ekonomisë dixhitale.
Samiti i 9-të i Bosforit po mbahet nën patronatin e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe organizohet nga “Platforma e Bashkëpunimit Ndërkombëtar – ICP”, me temën “Paqe dhe zhvillim i qëndrueshëm për të gjithë”. Pjesëmarrës janë politikbërës dhe ndërmarrës nga të gjitha kontinentet. /Telegrafi/