Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se nuk ka pranuar të jetë ministër në qeverinë Mustafa.
Ka thënë të ketë refuzuar ofertën për t’u kthyer në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, aty ku ai kishte qenë si ministër për dy vite.
Këtë ai e ka thënë të hënën mbrëma në emisionin, “Ekonomia me Erëzën”, të transmetuar në KTV.
Beqaj ka folur me tone kritike për qeverinë Mustafa e për pasuesin e tij në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin.
Ka thënë se në përgjithësi, qeverisë aktuale i mungon iniciativa për projektet e reja.
Me të njëjtën mangësi e ka vlerësuar edhe ministrin aktual të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin.
Për këtë të fundit, ish-ministri Beqaj kishte edhe fjalë miradije për punën e tij në vazhdimin e projekteve që janë nisur nga qeveria e kaluar.
Beqaj ka thënë të ketë qenë një ndër reformatorët e qeverisë së kaluar.
Ka thënë se e ka ndërtuar Ministrinë e Integrimeve, e ka reformuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Financave.
Si ministër thotë se do të mbahet në mend për punën e tij në luftimin e informalitetit në ekonomi.
Beqaj ka treguar se po arrin të sigurojë të hyra të mëdha edhe duke mos qenë në poste ekzekutive.
Me punën e tij thotë se arrin të sigurojë të hyra mbi 4 mijë euro.
Ka thënë se privatizimin e PTK-së e ka përkrahur, por që i njëjti është bllokuar nga Kuvendi. Ai vazhdon t’i qëndrojë besnik idesë se privatizimi i PTK-së është opsioni më i mirë.
“Telekomi duhet të privatizohet. Nuk ka nisma të reja të projekteve. Ne në qeverinë e kaluar, të gjitha nismat janë inicuar dhe janë proceduar më herët. PTK-në dua ta shoh të privatizuar”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
Ndërsa kritik ka qenë për projektin e koncesionimit të Brezovicës.
Beqaj ka thënë se është skeptik që kompania që e ka fituar kontratën për të zhvilluar projektin e Brezovicës ka potencial për ta jetësuar projektin.