Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, takoi sot Shefin e Misionit të UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe inovacionit.
Më këtë rast, ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe UNICEF-it, në fushën e edukimit dhe inovacionit, duke shprehur angazhimin e tij maksimal në hapjen e mundësive për fuqizimin ekonomik të të rinjve të Kosovës.
“Bazuar në faktin se Kosova ka popullsi të re në moshë, mundësitë për orientimin e rinisë drejt trendeve të globalizimit, janë shumë të mëdha”, ka thënë ministri Beqaj.
Ministri Beqaj dhe shefi i UNICEF-it Co, u pajtuan që Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe UNICEF Kosova të angazhohen për një plan veprimi për fuqizimin e rolit ekonomik dhe social të rinisë kosovare, për edukim më të mirë, ndërmarrësi efikase, zgjidhje digjitale të problemeve dhe nxitjen e inovacioneve. Ishte konstatim i përbashkët i të dy bashkëbiseduesve se në Kosovë ka nevojë të hapet një dritare e mundësive për fuqizimin ekonomik të të rinjve. /Telegrafi/