Site icon Telegrafi

Beqaj: Marrëveshja LVV-LDK do të ndodhë gjithsesi

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në  mbledhjen e mbajtur sot, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke bërë thirrje që kjo marrëveshje të finalizohet gjatë kësaj jave, marrë parasysh edhe afatin 15-ditësh për formimin e Qeverisë, të cilin e parasheh Kushtetuta pas dekretimit të mandatarit për Kryeministër, që u bë të hënën nga Presidenti Hashim Thaçi.

Në deklaratën pas takimit,  LDK kërkon që LVV ta trajtojë në mënyrë të veçantë ofertën e tyre të bërë ditë më parë në lidhje me ndarjen e pushtetit.

Lexo po ashtu Përfundon mbledhja e LDK-së, Mustafa: Me VV-në duam marrëveshje të balancuar, mundësisht gjatë kësaj jave

LDK-ja ka kërkuar pozitën e Kryeparlamentarin, kërkesë kjo që është refuzuar në letrën e fundit që Kurti i ka dërguar Mustafës, duke i ofruar 6 ministri, dhe duke u pajtuar edhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Pas deklaratës së LDK-së, ka reaguar edhe deputetja e zgjedhur e LVV-së, Arbërie Nagavci e cila ka thënë se e vlerëson këtë vullnet që e ka shprehur LDK-ja për të arritur marrëveshje këtë javë, dhe shpreson të mos jetë kushtëzim.

Lexo po ashtu Deklaratën e Isa Mustafës, deputetja Nagavci e sheh si gatishmëri për marrëveshje: Uroj të mos jetë kushtëzim

Këtë gjendje në të cilën gjendet politika në Republikën e Kosovës, analisti Belul Beqaj në një prononcim për Telegrafin, e ka vlerësuar si situatë në shpërputhje me premtimet e LDK-së dhe LVV-së që i kanë bërë gjatë fushatës.

Kërkesa kyçe e LDK-së është dorëheqja e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, gjë të cilën deri më tani nuk po e pranon assesi LVV-ja, por që sipas Beqajt do të duhej të ndodhte, pasi kontributi i Konjufcës në zhbllokim të situatës, do të rriste autoritetin e tij.

“Mes shtimit të ministrive dhe dorëheqjes së kryetarit të Parlamentit besoj se çdo analizë objektive është në favor të dorëheqjes së kryetarit të parlamentit. Autoriteti i Glauk Konjufcës nuk është krijuar, as që rrezikohet nga postet, por ai vetëm mund te ritet nëse kontribuon ne zhbllokimin situatës , ndërsa çështja e presidentit duhet te  ketë vetëm epilog te formulimit konsensual”, u shpreh Beqaj.

Beqaj mendon se edhe nëse bëhet marrëveshja është shumë e vështirë që të kthehet shpresa te qytetarët, dhe sipas tij marrëveshja do të bëhet gjithsesi, ndonëse jo me vullnetin e liderëve të LDK-së e LVV-së, por me ndikimin e ndërkombëtarëve, pasi ata nuk do ta lejojnë nëpërkëmbjen e kontributit që kanë dhënë në krijimin e shtetit të Kosovës.

“Situata e krijuar është ne shpërputhje me premtimet e partnerëve qe krijuan shpresën. Realisht edhe nëse arrihet marrëveshja e koalicionit  shume vështirë do te arrihet besimi dhe kthehet shpresa e premtuar. Marrëveshja do të arrihet,  jo pse partneret kosovar janë racionalë, por pse qendrat e vendosjes ndërkombëtare, të cilat vendosmërisht ndikuan të krijohet shteti i Kosovës, nuk do të lejojnë që faktorët e papërgjegjshëm politik të Kosovës të nëpërkëmbin edhe kontributin e tyre”, tha Beqaj. /Telegrafi/

Exit mobile version