Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Beqaj, ka deklaruar se Kosova me kod shtetëror bëhet subjekt i trafikut ndërkombëtar.
Ai tha se ky kod shtetëror është i lidhur ngushtë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Dua të them që ka pasur komunikime me ITU, angazhime me Shqipërinë në drejtim të rrugëve ligjore, në drejtim të rezolutës së aprovuar në Kuvend. Sa i përket kodit shtetëror qëndrimi i grupit është se ky kod do të na mundësojë që trafiku ndërkombëtar i komunikacionit të shkoj drejtpërdrejt nga Kosova, përderisa deri më tani ky trafik është bërë përmes Monakos dhe Serbisë”, tha Beqaj.
Po ashtu, ai tha se tani do të kemi një rregullator që mënyrë sovrane rregullon procedurat.
“Efektet financiare të një marrëveshje të tillë janë të shumta. Qytetarët tanë tarifat i kanë pasur më të larta. Përmes kodit do të fitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të paguajnë taksa për shfrytëzim të kodit tjetër”, shtoi Beqaj.
Edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përkrah Qeverinë e Kosovës, në çdo angazhim të saj për arritjen e marrëveshjes në Bruksel për kodin telefonik.
Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili tha se çështja e kodit shtetëror telefonik është në rrugë të mbarë që të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel.
Sipas tij, kjo çështje nuk mund të zgjidhet me vullnet e dëshira të njëanshme, por duhet të zgjidhet në mënyrë ndërkombëtare.
“Pra kodi do të fitohet si rezultat i dialogut dhe marrëveshjeve në Bruksel”, tha më tej Beqiri. /Telegrafi/