Ish-ministri Ilir Beqaj është paraqitur sot para Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për rivlerësimin e masës së sigurisë, pasi u arrestua dy ditë më parë pas hetimeve të SPAK mbi abuzimet me fondet e Bashkimit Europian.
Bëhet me dije se Beqaj ka kërkuar masë të lehtë sigurimi, kundrejt garancisë pasurore 5 milionë lekë (rreth 50 mijë euro).
Avokatët e Beqaj kanë kundërshtuar akuzat e SPAK për abuzime me fondet e BE nga SASPAC.
Seanca nisi në orë 12:30, ndërsa është ndërprerë për 30 minuta pushim.
Në seancën e sotme do t’i komunikohet masa e sigurisë edhe 5 personave të tjerë nën hetim, konkretisht për, Ermal Kurtulajn dhe Afred Nikollën, Elton Marinin dhe Gazmend Haxhinë. Për këtë të fundit ende nuk është bërë ekzekutimi i masës pasi ai nuk është gjetur në banesë datën e operacionit dhe figuron të ketë ikur nga Shqipëria.
Në dosje thuhet se këta shtetas kanë ngritur një skemë të përvetësimit të parave nga fondet e huaja përmes Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe kryenin fatura fiktive për mbulimin e aktiviteteve. Këtë ata e kanë bërë në të paktën 8 raste, flagrant ishte një aktivitet për turizmin që u faturua 125 mijë euro dhe shpenzimet ishin vetëm në shumën e 40 mijë eurove një darkë e mundësuar në restorantin “Gzona”.
Për këtë biznes SPAK ka dyshime se pronar është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj pasi ka mundur të zbulojë se ai ka investuar si në blerje pajisjeje ashtu edhe shpenzime qiraje. Madje ish ministri akuzohet edhe për fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të tyre në formularët e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. Mbi ish-ministrin qëndrojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, mosdeklarimit të të ardhurave dhe pastrimit të parave.