Site icon Telegrafi

Beqaj: Gjermania, donatori më i madh bilateral në Kosovë

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka marr pjesë në tryezën e organizuar me rastin e shënimit të 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Në tryezën e organizuar me këtë rast nga STIKK dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e përkrahjes së Gjermanisë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit politik dhe ekonomik, me theks të veçantë në përkrahjen ekonomike që ka dhënë shteti gjerman.

“Gjermani përmes taksapaguesve të vet është donatori më i madh bilateral në Republikën e Kosovës dhe kjo është për tu respektuar, sepse me vite të tëra në shumë sektorë ka pasur një angazhim të madh për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha ministri Beqaj, përcjell Telegrafi.

Beqaj ka folur edhe për prioritetet dhe angazhimet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në hapjen e mundësive për zhvillim ekonomik të Kosovës, duke specifikuar se Ministria që ai drejton është në fazën e përgatitjes së kornizës ligjore më anë të së cilës do të trajtohet inovacioni dhe ndërmarrësia në Kosovë.

“Rruga e futjes së konkurrueshmërisë në Kosovë duhet të shkojë përmes inovacionit dhe ndërmarrësisë, përmes sektorit privat”, shtoi ministri Beqaj, duke vlerësuar lartë rëndësinë e përkrahjes së këtij sektori, që sipas tij po bënë revolucion të ri industrial në botë, i cili duhet të shoqërohet me një sër veprimesh institucionale, në veçanti në fushën e edukimit.

Ministri Beqaj në fjalën e tij para të pranishmëve ka folur edhe për nisjen e procesit të ndarjes së granteve për OJQ-të dhe inovatorët individual nga MIN, proces ky që pritet të fillojë në pjesën e dytë të muajit maj. Në fjalën e tij, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka folur edhe për Parkun Rajonal për Inovacion dhe Trajnime në Prizren, që pritet të hapet në fillim të vitit 2019, duke ftuar të gjithë për bashkëpunim në funksionalizimin dhe popullimin e tij me ndërmarrje të reja shërbyese dhe prodhuese​ /Telegrafi/

Exit mobile version