Site icon Telegrafi

Beogradi (s’)mund ta krijojë listën unike për zgjedhjet në Kosovë

Beogradi zyrtar do të përpiqet, që pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të ndikojë tek politikanët serbë, të cilët pritet t’i fitojnë mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, për të krijuar një grup të përbashkët parlamentar, thonë njohësit serbë të zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, tashmë është e dukshme që përfaqësuesit politik dhe subjektet politike të serbëve të Kosovës, nuk do t’i qasen të unifikuar zgjedhjeve, të cilat pritet të mbahen me 11 qershor në Kosovë.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, Beogradi zyrtar pati mbështetur krijimin e Listës Serbe, siç ishte thënë, për të unifikuar zërin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit.

Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se as në Listën Serbe, përfaqësuesit e saj nuk kanë pasur qëndrim të unifikuar dhe kjo është vërtetuar me ndarjet brenda saj, të cilat kanë ndodhur muajt e fundit, rezultat i të cilave janë dy subjekte politike.

Deri më 19 maj, kur përfundon afati i certifikimit të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje, siç thotë Nojkiq, pritet që në garën zgjedhore të hyjnë disa subjekte politike serbe, të pakënaqura me përfaqësimin e deritashëm të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

“Ata që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara, kanë marrë leksionin dhe kanë parë se ekzistojnë probleme të caktuara. Pastaj, të gjitha opsionet politike të serbëve nuk mund të hyjnë në një listë dhe të jenë të gjithë të kënaqur. Për këtë shkak, ata do të shkojnë në kolona të ndara. Kjo flet mjaft qartë se Beogradi, nëse dëshiron të provoj ta ruaj unitetin, duhet që pas zgjedhjeve përsëri t’i thërras të gjitha subjektet politike dhe përsëri të provojë që të vendos një lloj uniteti. Por, mendoj që kjo do të jetë shumë më e vështirë se sa që ka qenë deri më tash”, tha Nojkiq.

Mendim të përafërt ka edhe Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi zyrtar përsëri do të përpiqet të krijoj një listë të ngjashme, sikurse në zgjedhjet e kaluara parlamentare, me të cilën synon numrin më të madh të mandateve të deputetëve.

Grupit parlamentar të kësaj liste, sipas tij, do të jenë të detyruar t’i bashkohen edhe deputet nga parti tjera serbe të Kosovës, të cilët eventualisht do të fitonin ndonjë mandat.

“Mua më së shumti më shqetëson mungesa e çfarëdo ideje, politike apo strategjie. Kjo është ajo që mungon në këtë rrëfim, si dhe kjo që nuk ka fare fushatë zgjedhore e as debate ndërmjet subjekteve politike dhe individëve. Thjeshtë, njerëzit po bashkohen ashtu siç mund të gjenden, në këtë periudhë të shkurtë kohore. Frikohem se përsëri nuk do të kemi politikë serioze dhe të përgjegjshme të serbëve të Kosovës”, tha Miletiq.

Por, a do të ndryshojë trendi i ndikimit të Beogradit zyrtarë mbi serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik, pas zgjedhjeve të 11 qershorit?

Nojkiq shpreh mendimin se ky trend nuk do të ndryshojë pa e ndryshuar atë vet serbët dhe përfaqësuesit e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës.

“Kjo nuk do të ndodhë në qoftë se serbët nuk ngriten dhe të tregojnë se janë faktor i rëndësishëm dhe që Beogradi duhet t’i respektojë dhe jo t’i shfrytëzojë. Shumëçka varet nga vet serbët. Por, mendoj se gjithnjë e më vështirë Beogradi do të mund të ndikojë që të arrihet një unitet i tërësishëm. Ndoshta do të mund të ndikojë që një numër i vogël i subjekteve politike të unifikohet, por jam shumë skeptik se kjo mund të ndodhë me të gjitha subjektet politike serbe”, tha Nojkiq.

Miletiq, shpreh mendimin se ndikimi i Beogradit zyrtar ndaj përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, do të jetë i njëjtë sikurse në mandatin e kaluar.

“Unë mendoj se do të jetë plotësisht njëjtë. Nuk mund të jetë ndryshe, sepse në Beograd janë në pushtet njerëzit e njëjtë. Po ashtu edhe në Kosovë do të jenë njerëzit e njëjtë në pushtet, kështu që nuk shoh arsye pse do të ndryshonte diçka. Fundja edhe rrethanat janë të njëjta dhe nuk shoh se mund të ndryshoj diçka, ndonëse ndryshimet janë jashtëzakonisht të nevojshme”, tha Miletiq.

Sidoqoftë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tashmë është regjistruar vetëm një koalicion i subjekteve politike serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Iniciativa Aktive Qytetare. /REL/

Exit mobile version