Juventusi është duke shqyrtuar problemin e Rodrigo Bentancur, pasi trajneri i Uruguait, Oscar Tabarez, ka konfirmuar se ai ka një problem “në një zonë delikate” që duhet të trajtohet në mënyrë të duhur.
Mesfushori u zëvendësua pas minutës së 70 në ndeshjen kundër Perusë, si dhe u largua nga loja pas pjesës së parë kundër Bolivisë – takime kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Bianconerët shpresojnë ta kenë Bentancurin në dispozicion për takimin ndaj Napolit në Serie A, megjithatë deklaratat e përzgjedhësit të Uruguait janë shqetësuese.
“Unë nuk jam doktor, por kanë ndodhur lëndime të ngjashme në të kaluarën. Problemi është në një zonë delikate, por nëse tërhiqet dhe mjekohet si duhet, nuk paraqet problem dhe zgjidhet shpejt”.
“Ekziston shpresa se ai do të mund të luajë të enjte”, citon Calciomercato.com fjalët e Tabarez. /Telegrafi/