Benfica nuk ka pasur ndonjë vështirësi përballë Club Brugge (5-1) në Estadio da Luz në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Skuadra portugeze regjistroi fitore komode (2-0) në ndeshjen e parë si mysafir i ekipit belg në Jan Breydel Stadium dhe pas sfidës në Lisbonë, kualifikohet në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 7-1.
Rafa Silva e hapi serinë e golave (38’), ndërsa Goncalo Ramos (45’+2) e vendosi rezultatin e pjesës së parë.
Ramos realizoi sërish në fraksionin e dytë (57’) pas asistimit nga Alejandro Grimaldo. Vendasit nuk u ndalën me kaq, ata shënuan një tjetër gol në minutën e 71-të. Joao Mario e konvertoi në gol një penallti.
Ndërsa futbollisti që e zëvendësoi atë, David Neres, e shënoi golin e pestë vetëm tri minuta pasi hyri në lojë (77’).
Një gol nderi për skuadrën belge e shënoi Bjorn Meijer në minutën e 87-të të takimit.
Triumfi i Benficas në ndeshjen kthyese e vulosur kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, derisa Club Brugge u eliminua në fazën e të tetës së finales. /Telegrafi/