Manchester Unitedi është përpjekur ta transferojë Medhi Benatian nga Juventusi, mirëpo ai ka preferuar që të transferohet te Al-Duhail në Katar.
Mbrojtësi maroken ka kërkuar largimin nga Zonja e Vjetër, në mënyrë që të kalojë në një skuadër ku do të luajë më shumë.
Klube të shumta kanë shprehur interesim për 31-vjeçarin, duke përfshirë, Milanin, Olympique Marseille dhe Djajtë e Kuq.
Por, duket se ai ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Katar, ku do të nënshkruajë kontratë trevjeçare dhe në sezon do të përfitojë pesë milionë euro plus bonuset.
Për shitjen e lojtarit te Al-Duhail, Juventusi do të përfitojë 10 milionë euro nga shuma e transferimit.
Në ndërkohë, Sportitalia njofton se Manchester Unitedi është përpjekur gjatë të enjtes që ta transferojë Benatian dhe klubi anglez është pajtuar të paguajë dhjetë milionë euro për të.
Mirëpo, oferta e klubit anglez ishte 3.7 milionë euro për sezon, derisa qendërmbrojtësi ka kërkuar 4.5 milionë euro. Prandaj, ka vendosur të shkojë në Ligën e Yjeve të Katarit, ku do të paguhet akoma më shumë.
Martin Caceres është futbollisti që do ta zëvendësojë marokenin, për kthimin e të cilit Juve do të paguajë 600.000 euro. /Telegrafi/