Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton i dërgoi letër CEO-s së TikTok-ut, Shou Zi Chew, duke pretenduar se zyra e tij ka “indikacione” se platforma po përdoret për të shpërndarë dezinformata dhe përmbajtje të paligjshme rreth luftës së vazhdueshme Izrael-Hamas.
Ai tha se TikTok duhet të jetë “objektiv dhe në kohë” për heqjen e dezinformatave, veçanërisht pasi të miturit shpesh i drejtohen platformës si burim lajmesh, transmeton Telegrafi.
Breton i ka çuar letër të ngjashme edhe pronari të rrjetit social X Elon Musk dhe pronarit të Meta-s, Mark Zuckerberg.
“Së pari, duke qenë se platforma juaj përdoret gjerësisht nga fëmijët dhe adoleshentët, ju keni një detyrim të veçantë për t’i mbrojtur ata nga përmbajtjet e dhunshme që përshkruajnë marrjen e pengjeve dhe video të tjera grafike të cilat thuhet se qarkullojnë gjerësisht në platformën tuaj, pa masa mbrojtëse të duhura”, shkroi Breton në letër.
Sipas Aktit të sapo miratuar të Bashkimit Evropian për Shërbimet Dixhitale, TikTok duhet të monitorojë dhe të fshijë përmbajtje të paligjshme si përmbajtje terroriste ose gjuhë të paligjshme të urrejtjes. TikTok gjithashtu duhet të detajojë protokollet e tij për ta bërë këtë. /Telegrafi/