Telegrafi

Bellingham lë grumbullimin me Anglinë, kthehet në Madrid për të vazhduar procesin e rikuperimit

Jude Bellingham është larguar nga kampi stërvitor i Anglisë dhe do të udhëtoj përsëri në Madrid për t’u fokusuar në rikuperimin e tij, ka njoftuar ekipi kombëtar i Anglisë.

Anglia do të luajë këtë muaj në ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Euro 2024 kundër Maltës dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, Tre Luanët do ta kenë një mungesë të madhe, pasi Bellingham ka lëshuar kampin stërvitor.

Mesfushori i Real Madridit me sa duket iu nënshtrua testeve mjekësore të cilat dëshmuan paaftësinë e tij për të luajtur në këto ndeshje.

“Jude Bellingham dhe Levi Colwill nuk do të luajnë asnjë rol në ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Anglisë për UEFA EURO 2024 kundër Maltës dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Dyshja mbërritën në St.Georges Park për vlerësime të hënën, por tani do të kthehen në Real Madrid dhe Chelsea përkatësisht për të vazhduar rehabilitimin e tyre”, thuhet në njoftimin e kombëtares angleze.

Bellingham pritet të ketë rreth dy javë pushim para se të kthehet në lojë me Real Madridin. 20-vjeçari pësoi një pengesë pak para ndeshjes kundër Valencias fundjavën e kaluar. /Telegrafi/