Qeveria e Belgjikës ka përfshirë sërish Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta, çka do të thotë se kërkesat për azil atje nuk do të pranohen.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme në Shqipërisë, sipas të cilës, Këshilli i Ministrave në Belgjikë ka marrë sot vendimin për ta rikthyer Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta.
“Vendimi ishte lajmëruar pak ditë më parë nga Sekretari i Shtetit të Belgjikës për Migrimin dhe Azilin, Theo Francken. Që prej vitit 2012, Belgjika ka një listë të vendeve të sigurta të origjinës.
Këshilli i Shtetit të Belgjikës kishte vendosur pak javë më parë që Shqipëria të përjashtohej nga lista e vendeve të sigurta për vitin 2015. Këshilli i Shtetit e ka bërë më parë këtë, edhe në vitin 2012, 2013, 2014.
Por qeveria belge gjithsesi nuk pajtohet me këtë vendim (që mbetet këshillues) dhe e ka përfshirë Shqipërinë sërish sot në listën e vendeve të sigurta. Për qeverinë belge, Shqipëria është një vend i sigurt dhe shqiptarët përgjithësisht nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim, azilkërkuesit kalojnë përmes procedurave të përshpejtuara dhe kanë shumë pak mundësi t’u njihet statusi i refugjatit. “Kështu vijojnë rregullisht kthimet e shtetasve shqiptarë me qëndrim të paligjshëm në shtetin belg”, vijon deklarata.