Studentët e mjekësisë në Flandër, Belgjikë, do të fillojnë të ushtrohen se si të trajtojnë plagët e luftës.
Kjo iniciativë përfshin një trajnim të ri pas thirrjeve nga ministritë e Mbrojtjes dhe Shëndetësisë që të përgatiten profesionistët shëndetësorë për konfliktet e mundshme.
Një komitet ekspertësh do të integrojë trajnimin mjekësor ushtarak në planin mësimor, mundësisht nëpërmjet kurseve opsionale ose një programi të masterit shtesë. Trajnimi mbi qëndrueshmërinë mund të përfshihet gjithashtu në disiplina të tjera mjekësore, si psikoterapia dhe kujdesi shëndetësor.
“Shpresojmë që kjo të mos ndodhë kurrë, por nuk mund të fshijmë kokat në rërë“, ka thënë dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gentit,Piet Hoebeke, raportojnë mediat.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Antverpenit, Filip Lardon, ka deklaruar se, megjithëse ata tashmë kanë mjekë me kualifikime të larta, puna në zonat e konfliktit kërkon ekspertizë shtesë.
“Lufta paraqet sfida të veçanta mjekësore në trajtimin e traumave, ndihmën e shpejtë dhe kirurgjinë”, ka thënë Lardon.
Studentët do të mësojnë rreth plagëve të viktimave, procedurave të evakuimit dhe trajtimit të plagëve nga armët e zjarrit, fusha ku përvoja ukrainase mund të jetë shumë e vlefshme, pasi plagët, për shembull nga sulmet me drone, dallohen shumë nga modelet e traumave të Luftës së Dytë Botërore.
Iniciativa gjithashtu shqyrton kërcënimet moderne, duke përfshirë luftën biologjike, kimike dhe bakterilogjike. /Telegrafi/