Site icon Telegrafi

Beleri merr pjesë në mbledhjen e partisë së kryeministrit grek pasi u zgjodh eurodeputet, i sigurohet lidhje online nga burgu

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që u zgjodh eurodeputet nga partia Demokracia e Re në Greqi, ka marrë pjesë online në një mbledhje të zhvilluar me kryeministrin e vendit fqinj, Kyriakos Mitsotakis.

Takimi është mbajtur mes 7 eurodeputetëve të zgjedhur nga partia Demokracia e Re dhe kryeministrit Mitsotakis, për të koordinuar veprimtarinë për Parlamentin Evropian.

Në mbledhje veç Belerit dhe Evangelos Meimarakis që ishin online, kanë qenë të pranishëm fizikisht edhe eurodeputetët e zgjedhur Giorgos Autias, Eliza Vozeberg, Eleonora Meleti, Manolis Kefalogiannis dhe Dimitris Tsiodras.

Në takim morën pjesë gjithashtu edhe ministri i Shtetit Akis Skertos, zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou dhe sekretari i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian i ND, Tasos Hatzivasiliou.

Lexo po ashtu Suli: Nëse shpallet i pafajshëm, Beleri do lërë mandatin e eurodeputetit për Himarën

Kujtojmë se Beleri ndodhet i burgosur në Shqipëri që në 12 maj të vitit të kaluar me akuzën për blerje votash dhe për këtë arsye nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak i Himarës.

Ndërsa për të marrë pjesë në mbledhjen me Mitsotakis, Beleri ka marrë leje nga SPAK, e cila i është aprovuar.

Në zgjedhjet për PE Beleri mori gati 234 mijë vota, duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re.

“Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis arriti të siguronte një fitore bindëse në zgjedhjet evropiane të 2024-ës, duke grumbulluar kështu 28.31% të votave.

Sipas shifrave zyrtare të bëra publike nga Ministria e Brendshme, në vend të dytë në këto zgjedhje u rëndit SYRIZA– Aleanca Progresive me 14,92%, në të tretin PASOK – Lëvizja për Ndryshim me 12,79%, ndërsa Zgjidhja Helenike me 9,3% fitoi “betejën” me KKE (9,25%) për vendin e katërt. /Telegrafi/

Exit mobile version