Site icon Telegrafi

Bekteshi: Do të ketë kursim, por jo reduktime të energjisë elektrike

Qeveria ka miratuar vendimin për kursimin e energjisë elektrike deri në 15% gjatë periudhës dimrit. Në seancën e mbrëmshme qeveria obligon institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa u rekomandon amvisërive dhe bizneseve që të kursejnë energji për shkak të krizës energjetike që pritet të pasojë gjatë dimrit të ardhshëm.

Duke prezantuar masat, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, shpjegoi se institucionet shtetërore obligohen që të shkyçin dritat dekorative të fasadave nëpër objektet e tyre dhe përmendoret kulturore, fikjen e llambave ditën kur ka dritë të mjaftueshme, gjatë sezonit të ftohjes kondicionerët të vendosen jo më poshtë se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më lart se 20 gradë, të fiken kompjuterët pas punës, rregullisht të ndryshohen filtrat e mjeteve për ngrohje dhe kondicionerëve, të printohen vetëm dokumentet e domosdoshme, të ndryshohen dritaret e vjetra me dritare të reja që kanë më shumë efikasitet energjetik si dhe masa të tjera.

Bekteshi tha se nuk parashikohen reduktime të energjisë elektrike.

“Nuk presim që të ketë reduktime në Maqedoni. Mos dashtë Zoti që të na ndodh ndonjë avari. Që të sigurohemi tërësisht, unë kam biseduar me ministrat e energjetikës në Serbi dhe Bullgari që të mos ketë ndërprerje të kapaciteteve ndërkufitare siç ka ndodhur në të kaluarën, në vitin 2009 nëse nuk gaboj, që të mos kemi problem me pjesën e furnizimit me energji elektrike për ata konsumator që janë në tregun e lirë, pasi ata janë kompanitë më të mëdha në shtetin tonë, ndërsa ata bëjnë tregti me energjinë elektrike përmes interkonektorëve që i kemi me fqinjët”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi tha se masat u rekomandohen edhe institucioneve komunale, tek të cilat pushteti qendror nuk ka kompetenca të përzihet. Masat hyn në fuqi nga 1 shtatori dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit 2023. Drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski shtoi se Elektranat prodhojnë energji të mjaftueshme për amvisëritë dhe po i rrit kapacitetet prodhuese.

“Nevojat për energji elektrike për shpërndarësin universal EVN Home për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël i plotësojmë me prodhimi tonë të brendshëm, EMV nuk importon energji elektrike. Importojnë qymyr dhe mazut për prodhim të energjisë elektrike me të cilin do e rrisim prodhimin në këtë periudhë dhe në periudhën e sezonit të ngrohjes”, deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtor i EVM-së.

Kovaçevski ka shtuar se EMV-së planifikon që për vitin 2022 të rrisë prodhimin e energjisë elektrike me 20% më shumë se një vit më parë. Në seancën e radhës Qeveria do të sjellë vendim edhe për shpalljen e krizës energjetike.

Exit mobile version