Telegrafi

Bekteshi: Stabiliteti energjetik dhe subvencionet për kyçje në rrjetin e gazsjellësit do të jenë prioritet edhe vitin e ardhshëm

Prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë janë sigurimi i stabilitetit energjetik, siguria, krijimi i kushteve për zhvillimin e industrisë, krijimi i kushteve për hulumtime, shfrytëzimi i burimeve minerale, zhvillimi i turizmit duke rritur standardet e ofertës sonë, këtë e theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media.

“Në kushtet e krizës më të madhe energjetike, fokusi i Ministrisë së Ekonomisë vitin e ardhshëm do të jetë energjia. Në tre vitet e fundit kemi kaluar nëpër sfida të mëdha dhe këtë vit po përballemi me një nga krizat më të mëdha energjetike në botë. Kemi marrë masa për të mbështetur sektorin e energjisë, amvisërinë, por edhe kompanitë e vogla dhe të mesme për ballafaqim me krizën energjetike. Buxheti i përgjithshëm i Minsitrisë së Ekonomisë për vitin e ardhshëm do të jetë 19 milionë euro.

Nga këto, 3.2 milionë euro janë dhënë për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve në vitin 2023 për masat për përballimin e krizës energjetike, për masat e energjisë efektive, investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, që është tre herë më shumë se sivjet e cila ishte 1,1. milionë euro”, njofton Bekteshi.

Ai shtoi se në fushën e energjetikës është planifikuar mbështetja e kategorive të rrezikuara nga programi për mbrojtjen e familjeve të cenueshme, mbështetje për personat me të ardhura të ulëta, por edhe zgjerimi i programit për persona të tjerë, përfitues të së drejtës për të ardhura për shkak të aftësive të veçanta./Telegrafi/