Nuk është detyra ime të bëj analiza dhe t’i propozoj mandatarit se kush duhet të zëvendësohet, dhe kush jo, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili u pyet se nëse do të përfshihet edhe ai në rikonstruimin e qeverisë të njoftuar nga Zoran Zaev.
Në konferencën e sotme për shtyp mbi thirrjet publike nga programi për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit të energjisë në familje, Bekteshi tha se nuk mbajnë vlerësimet e dështimit në sektorët ekonomik, duke marrë parasysh shifrat dhe raportet e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.
“Ne si një Ministri, jemi përgjegjës për politikën e ndjekur në industrinë, turizmin, tregtinë. Nëse marrim shifrat, ne kemi shumë rritje për një vit e gjysmë dhe në disa zona madje edhe rritje dy herë më shumë”, tha Bekteshi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me deklaratën e zv. kryeministrit Bujar Osmani se rikonstruimi i qeverisë do të forcojë sektorët ekonominë.
Gjatë konferencës së sotme, Bekteshi njoftoi gjithashtu për programin për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik në familje për vitin 2019.
“Sipas programit për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik në familje për vitin 2019 edhe këtë vit vazhdojmë me realizimin e masave të planifikuara, prandaj këtyre ditëve kemi shpallur thirrjet publike për kompensimin e shpenzimeve për blerjen dhe instalimin e sistemeve të kolektorëve diellor në amvisëri, për të cilën janë siguruar 5 milionë denarë dhe për blerjen dhe instalimin e dritareve PVC ose alumini nëpër shtëpi për vitin 2019, për të cilën masë janë siguruar 25 milion denarë”, tha Bekteshi,/Telegrafi/