Sulmuesi shkodran, Bekim Balaj ka vendosur të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar apo më saktë nga futbolli i luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë
Bekim Balaj ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në Abissnet Superiore me Vllazninë, i ka komunikuar vendimin e tij trajnerit Sylvinho, stafit teknik dhe Federatës së Futbollit.
Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren kuqezi, Bekim Balaj, u aktivizua në 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola.
I pari është edhe më i veçanti, pasi realizimi ndaj Portugalisë dhe fitorja historike e Shqipërisë me golin e Bekim Balajt në “Estadio Municipal de Aveiro” bëri krenar të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Evropianin “Francë 2016”.
Gjithashtu, Balaj ishte pjesë e Kombëtares në atë Kampionat Evropian ku u aktivizua në fitoren ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0.
Federata e Futbollit të Shqipërisë e ka falënderuar sulmuesin Bekim Balaj, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe i uron sa më shumë suksese në të ardhmen. /Telegrafi/