Telegrafi

Bekaj: Prishtina vetëm për fitore me Feronikelin

Prishtina e pret Feronikelin në derbin e javës së 14-të të Superligës së Kosovës.

Kryeqytetasit vijnë nga një barazim pa gola me Dukagjinin, ndërsa drenicasit nga humbja në shtëpi me Ballkanin.

Portieri Visar Bekaj pret një ndeshje të fortë, por fitorja mbetet objektiv i Prishtinës.

“Padyshim se i gëzohem formës personale dhe ndjehem mirë që së bashku me ekipin nuk po pësojmë gola tash e disa ndeshje. Ndërsa, megjithatë edhe pse po krijojmë shumë raste dhe po shkojmë mirë deri para portës kundërshtare, aty po na mungon efikasiteti”.

“Por, shpresoj shumë që bashkëlojtarët e mi të fazës së sulmit të gjejnë golin kundër një kundërshtari të fort siç është Feronikeli”.

“Është fakt që Feronikeli na ka mposhtur në dy duelet e fundit, por para asaj ne kishim nëntë ndeshje pa u mposhtur me ta, pra, me gjithë formën jo të mirë të tyre e që nuk na preokupon kjo, sepse ne shohim vetëm veten tonë, dhe me gjithë respektin maksimal si ekip i mirë dhe kampion aktual, ka ardhur momenti që ne tani t’i mposhtim dhe të vazhdojmë rrugën drejt kreut të tabelës”, ka thënë portieri Bekaj.

Ndeshja mes Prishtinës dhe Feronikelit, zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ nga ora 18:00. /Telegrafi/