“Dështimet në lidership dhe gjykim” në Downing Street çuan në mbajtjen e festave gjatë pandemisë Covid-19, ka gjetur nëpunësja e lartë civile, Sue Grey, në një raport të fundit.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, hetimi gjeti prova të “konsumimit të tepërt të alkoolit” dhe se stafi “ndihej i paaftë për të ngritur shqetësime” për shkeljet në Numrin 10.
Disa tubime përbënin ‘dështime serioze’ dhe janë ‘të vështira për t’u justifikuar’, përfundoi raporti.
Hetimi i shumëpritur për festat që thyen rregullat në Numrin 10 ka tronditur qeverinë e Boris Johnson muajt e fundit.
Siç bëjnë të ditur tutje mediat britanike, një raport i tillë i plotë është lënë në sirtar për të qenë në përputhje me shqetësimet e Policisë Metropolitane se hetimi i saj penal mund të ndikohet nga grupi i plotë i provave të bëra publike.
Në vend të kësaj, një përmbledhje më e shkurtër e gjetjeve është dërguar në Numrin 10 dhe është vënë në dispozicion.
Dhe zonja Grey nuk u përpoq të fshihte zhgënjimin e saj që nuk ishte në gjendje të publikonte një raport të plotë, duke shkruar: “Jam jashtëzakonisht e kufizuar në atë që mund të them për ato ngjarje dhe nuk është e mundur për momentin të jap një raport kuptimplotë që përcakton dhe analizon informacionin e gjerë faktik që kam arritur të mbledh”.
Sidoqoftë, siç shkruan mediumi britanik Metro, raporti zbuloi: “Të paktën disa nga tubimet në fjalë përfaqësojnë një dështim serioz për të respektuar jo vetëm standardet e larta që priten nga ata që punojnë në zemër të qeverisë, por edhe standardet që priten nga e gjithë popullata britanike në atë kohë”.
Ndryshe, Boris Johnson është paralajmërojë se do të trajtojë zhvillimin në “House of Commons” në orën 15:30 – sipas kohës lokale. /Telegrafi/