Organet e drejtësisë, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, duhet të merren me krime që janë kryer gjatë luftës në Kosovë e për të cilat nuk është dënuar askush.
Sot janë bërë 19 vjet nga masakra e Abrisë njëra ndër krimet që kreu policia dhe ushtria serbe.
Me dëshirë, Imer Deliu, nuk do ta vizitonte këtë vend asnjëherë.
Por, të martën, në 19-vjetorin e masakrës së Abrisë, ai erdhi ta kujtonte familjarët e humbur në këtë vend. Më 26 shtator 1998, Imeri dhe familja e tij humbën 23 anëtarë nga një prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Aty iu masakrua edhe djali i tij.
Dëshmitar i kësaj masakre është edhe Besniku, i cili në atë kohë kishte vetëm 5 vjet. Edhe pse në atë moshë, Besniku arrin ta kujtojë mjaft mirë ngjarjen e 26 shtatorit.
Masakra e Abrisë së Drenasit, e kryer para 19 vjetësh, është ndër më të rëndat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.