Uranik Begu për një dekadë kishe qenë në krye të Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), mirëpo duke filluar nga sot ai do të jetë drejtor i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor.
Begu me anë të një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se misioni i tij, në këtë pozitë të re, do të jetë nxitja e inovacionit.
“Jam i lumtur të ndaj me ju që po filloj pozitën e re si drejtor për Ballkanin Perëndimor në Plug and Play Tech Center! Jam i emocionuar që jam pjesë e një organizate kaq të vlerësuar që ka qenë në përkrahje të ekosistemit të start-upeve për më shumë se një dekadë. Me shtrirjen botërore që ka Plug and Play, kam besim se ne mund të hapim krijojmë të reja dhe të përshpejtojmë rritjen për start-upet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Begu në Linkedin.
Sipas tij, do të punohet në krijimin e një ekosistemi dinamik për start-upet e rajonit.
“Me anë të kësaj pozite, misioni im është të nxis inovacionin duke lidhur start-upet me partnerët kryesorë si korporatat, investitorët dhe këshilltarët. Duke shfrytëzuar rrjetin dhe burimet tona, ne do të punojmë drejt nxitjes së një ekosistemi dinamik të start-up në rajon, duke u mundësuar ndërmarrësve të zgjerojnë bizneset e tyre dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, thotë ai.
Dear community, after 10 years as a Director @ickosovo is time to move onto new challenges. I am happy to inform you on my new role as a Director of @PlugandPlayTC for the W.Balkans. My support for the community will continue, and thank you all for the love over the years. ❤️ pic.twitter.com/b7rht7cG6w
— Uranik Begu (@uranikbegu) April 24, 2023
“Jam i emocionuar për mundësitë që kam përpara dhe pres me padurim të punoj me të gjithë ju për ta bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor një qendër për inovacionin dhe biznesin”, shton Begu.
Po ashtu, ai thekson se gjatë punës në ICK është arritur që Kosova të pozicionohet si një nga vendet më interesante për bizneset fillestare.
“Puna në ICK ka qenë një nga përvojat më shpërblyese të jetës sime. Kam pasur privilegjin të punoj përkrah disa prej individëve më të talentuar dhe më të përkushtuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrjes. Së bashku, ne kemi arritur gjëra të mëdha, nga pozicionimi i Kosovës si vendi më emocionues i rajonit për start-upet, si dhe ndihma e ndërmarrësve dhe bizneseve fillestare të panumërta për të arritur objektivat e tyre, trajnimi i dhjetëra mijëra të rinjve dhe ndihma e tyre për të gjetur punë, si dhe krijimi i më shumë se 100 bashkëpunimeve ndërkombëtare”, përfundon ai.
Plug and Play Tech Center përbëhet nga 50,000 start-upe, mbi 500 korporata dhe qindra biznese venture capital, universitete dhe agjenci qeveritare të industrive të shumta. /Telegrafi/