Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zgjodhi të uronte të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajram nga Xhamia Kubelie në qytetin e Kavajës.
Në fjalën e tij, ai uroi që muaji i shenjtë i Ramazanit të ketë përmbushur qëllimin ndërsa të jetë shtysë për vepra të tjera të mira.
“Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës. Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Në fakt, kjo festë e Fitër Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin”, deklaroi Begaj.
Ai tha se zgjodhi Kavajën si një nga shembujt më të mirë të harmonisë fetare, harmoni të cilën e quajti, vlerë të jashtëzakonshme të kombit shqiptar.
Ai bëri thirrje që në këto ditë të vështirë t’i gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
“Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen.
Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”, përfundoi Begaj, shkruan kp.
Në Shqipëri, mijëra besimtarë kanë mbushur mëngjesin e ditës sotme sheshin “Skënderbej” në Tiranë ku u organizua ceremonia e kryesore e faljes së namazit të Fitër Bajramit.