Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur këtë të enjten në takim të dërguarin e Posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Begaj ka bërë të ditur se gjatë takimit ka vlerësuar vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Prita sot të Ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor Lordin Stuart Peach. Përshëndeta rolin e Lord Peach në promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe mbështetjen për adresimin e sfidave të lidhura me sigurinë, veçanërisht atë kibernetike”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, presidenti shqiptar ka thënë se është e domosdoshme arritja sa më parë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.
“Gjatë takimit, vlerësova vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizova domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve”.
Sipas tij, është e një rëndësie të madhe të ruhet uniteti, solidariteti dhe kohezioni mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/