Telegrafi

‘Befasohet’ ambasadori rus në Beograd pas deklaratës së politikanit serb Çedomir Jovanoviq për helmimin e vajzës së tij

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko thotë se është i “befasuar” me deklaratën e liderit të Partisë Liberale të Serbisë, Çedomir Jovanoviq lidhur me njoftimin se vajza e tij ishte përjekur të drogohet nga tre agjentë rusë.

Sipas medieve serbe, Jovanoviq tregon se në vitin 2019, agjentët rusë me pasaporta diplomatike, në një nga qendrat tregtare kishin tentuar ta drogonin vajzën e tij.

Ai shton se, çdo ditë po merr kërcënime me vdekje.

“Në verën e vitit 2019, Jana ishte në një qendër tregtare me një nga shoqet e saja. Ato ishin ulur në ‘Mek’ ku tre meshkuj u janë afruar atyre. Ata e larguan tutje shoqen e Janës, ku pastaj i hodhën pak pluhur në pijen e saj duke e detyruar ta pijë atë. Kjo ngjarje u pa nga një person që ishte afër tyre dhe kishte pyetur nëse gjithçka ishte në rregull, ku pastaj një nga të tre prej tyre e goditën atë dhe e rrëzuan për tokë. Një mik i imi e telefonoi gruan time dhe ajo e thirri policinë. Kur mbërriti policia në vendin e ngjarjes, të tre personat treguan pasaportat e tyre diplomatike ruse, dikush nga Ambasada ruse erdhi për t’i marr ata nga vendi i ngjarjes”, pretendon Jovanoviq.

Lexo po ashtu Politikani serb, Çedomir Jovanoviq: Agjentët rusë janë përpjekur të drogojnë bijën time

Politikani serb, gjithashtu theksoi se pluhuri që i ishte hedhur në pijen vajzës së tij, më vonë është konstatuar se ishte drogë e llojit MDMA.

Sikur kjo të mos mjaftonte, pasi kishte shkuar në polici për të dhënë deklaratë vajza e tij, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi e kishin lutur që të mos flet publikisht për këtë.

Nga kërcënimet e vazhdueshme, ai thotë se iu dha mbrojte e afërt, pasi në muajin shkurt 2001 dikush i kishte vendosur një bombë nën veturën e tij.

Ai pretendon se tre vjet më vonë, në seancën e parë të Qeverisë së Vojislav Koshtunicës, u mor një vendim për të anuluar mbrojtjen e tij, por vetëm shtatë ditë më vonë vendimi u rishikua sepse vlerësimi i policisë ishte se ai është i rrezikuar.

Jovanoviq, gruaja dhe djali i tij, atëherë fëmija i vetëm, morën mbrojtje të afërt dhe policia u vendos para ndërtesës në të cilën jetonin. /Telegrafi/