Site icon Telegrafi

Bedri Shabani e Muharrem Qerimi deklarohen të pafajshëm për akuzat për spiunazh

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani e Muharremi Qerimi.

Gjatë seancës gjyqësore Shabani e Qerimi  janë deklaruar të pafajshëm.

Qerimi, i cili akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, për këtë pikë të aktakuzës e ka pranuar fajësinë.

Gjykata e ka aprovuar pranimin e fajësisë, dhe i ka njoftuar palët që në afat prej 15 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet për hedhjen e aktakuzës, raporton Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Kosovës në shkurt të 2025-së ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për veprën penale – spiunazh.

Më 5 qershor të 2024-s, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia i kishin arrestuar të pandehurit në Ferizaj.

Ata dyshohet se kanë bërë spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Lexo po ashtu Kërcënimi i fshehur i spiunazhit: Përpjekje për ta bërë Kosovën "jofunksionale"

Prokuroria pretendon se ka prova që Shabani ishte aktiv edhe ditën e sulmit terrorist në Banjskë, ku takoi një pjesëtar të policisë, të cilit i dha informata jorelevante dhe iu ankua se vazhdimisht po jep por nuk po merr informata nga policia.

Ai sipas aktakuzës ka pasur kontakt edhe me pjesëtarin e BIA-s dhe ish-shefin e policisë së Ferizajt, Bogolub Janiçeviq, i cili sipas prokurorisë ishte i përfshirë në masakrën e Reçakut. /Telegrafi/

 

Exit mobile version