Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, prej vitesh jeton në Los Angeles të Kalifornisë.
Ajo atje posedon një shtëpi në vlerë 2.1 milion dollarë (1.7 milion euro), e cila karakterizohet me arkitekturë të vjetër dhe gjendet në një nga lagjet private të Los Angelesit.
Në një rrëfim të veçantë për US Weekly, 31-vjeçarja ka bërë të ditur 25 fakte interesante rreth saj, të cilat fansat e saj mund të mos i kenë ditur më parë.
Një ndër to është fakti se ajo ka një statujë të Budës në oborrin e saj, e cila është vendosur në një pjesë të veçantë të oborrit dhe gjendet aty prej më shumë se 15 vitesh.
“Unë kam një statujë të Budës në oborrin tim që ka qenë atje për më shumë se 15 vjet”, ka treguar këngëtarja shqiptare.
Interpretuesja e hitit “Meant to be” e kishte blerë këtë shtëpi në vitin 2018, ndërkohë që ajo dhe familja e saj kanë edhe një shtëpi tjetër në New York, përkatësisht në lagjen Staten Island.
Mes shumë fakteve interesante për veten e saj, Rexha ka treguar se e ka marrë patent-shoferin në moshën 29-vjeçare, flet tri gjuhë (anglisht, shqip dhe spanjisht), si dhe i pëlqen të gatuajë dhe gatuan vet në shtëpi.
E kur jemi te gatimi, Bebe Rexha në një intervistë ekskluzive për Telegrafin muajin e kaluar, ka zbuluar pasionin e saj të madh për kuzhinën shqiptare, duke u shprehur se i pëlqen pa masë t’i gatuajë dhe konsumojë ushqimet tradicionale shqiptare.
Aktualisht, këngëtarja e shumë hiteve është duke shijuar suksesin e albumit të saj më të fundit, “Better Mistakes”, i cili u publikua në maj të këtij viti. /Telegrafi/