Nuk është kurrë herët për festat e fundvitit!
Marka e famshme amerikane “Bloomingdale’s” ka njoftuar se artistja shqiptare me famë ndërkombëtare Bebe Rexha, e cila është nominuar për dy çmime ‘Grammy’ në të kaluarën, do të performojë në eventin e tyre ikonik të festave në “59th Street” që do të zhvillohet të enjten, më 18 nëntor në New York.
Eventi do të përfshijë gjithashtu zbulimin e dekorimeve të fundvitit në dritaret e dyqaneve luksoze të kësaj marke në Lexington Avenue, si dhe do të ketë shfaqje shtesë, shkruan DailyMail.
Dritaret e sivjetme “Give Happy” mishërojnë gëzimin dhe optimizmin e fushatës së tyre të festave.
Ngjarja do të shënojë fillimin e disa aktiviteteve në “Bloomingdale’s 59th Street” që do të funksionojnë gjatë gjithë sezonit të festave, duke përfshirë: ankand me veshje nga stilistët e famshëm, shtambe ushqimesh dhe pijesh, dhe shumë gjëra të tjera.
“Çdo vit, ne presim me padurim ngjarjen tonë të zbulimit të dekorimeve si një dhuratë për klientët tanë dhe qytetin e New Yorkut” tha Frank Berman, zëvendës president ekzekutiv dhe shefi i marketingut i markës “Bloomingdale’s”.
“Dhe, këtë vit, ne jemi edhe më të ngazëllyer për t’u rikthyer së bashku dhe për të festuar dhe promovuar përvojat tona të veçanta të shitjes në dyqane dhe në internet. Ka shumë befasi që klientët tanë të zbulojnë gjatë gjithë sezonit”, tha ai.
“Bloomingdale’s” i dhuron fitimet e ankandit “Holiday By Design” për Fondacionin Design Industries Fighting AIDS (DIFFA).
DIFFA mbledh grante për organizatat që ofrojnë trajtim, edukim dhe ndihmë për njerëzit e prekur nga HIV/AIDS, të pastrehët, uria dhe çështjet e shëndetit mendor. /Telegrafi/