Telegrafi

Bebe Rexha sjell klipin e këngës “I’m The Drama”, vjen si një ‘drama queen’ e vërtetë në videon muzikore

Foto: Bebe Rexha/YouTube

Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka publikuar klipin e shumëpritur të këngës së saj më të re, “I’m The Drama”, duke shkaktuar valë entuziazmi mes fansave të saj besnikë dhe kritikëve muzikorë.

Kënga, e cila dallohet për ritmin e saj të gjallë dhe tekstin tërheqës, u publikua fillimisht në versionin audio pak javë më parë, duke u bërë menjëherë një hit në platformat e transmetimit muzikor.

Në klip, 34-vjeçarja shfaqet në disa skena mjaft provokuese dhe të zjarrta, të cilat theksojnë jo vetëm bukurinë dhe stilin e saj të veçantë, por edhe aftësitë e saj të jashtëzakonshme si një performuese me energji të pashtershme.

Foto: Bebe Rexha/YouTube

Klipi është filmuar në disa lokacione të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të larmishme që përputhet në mënyrë perfekte me intensitetin e këngës.

Një nga momentet kulmore të klipit është skena ku Bebe Rexha shfaqet e rrethuar nga disa statistë në një zyre, duke nënvizuar dramën dhe emocionet që kënga synon të përcjellë.

Pritet që “I’m The Drama” të jetë një prej këngëve kryesore të albumit të saj të katërt, ende të pa titull, i cili është një nga projektet që ajo planifikon të japë më tepër detaje rreth tij së shpejti. /Telegrafi/