Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, pas tri vjetësh solli në treg albumin e saj të dytë në karrierë, “Better Mistakes”.
Ajo çfarë e veçon albumin e saj të ri është fakti se të gjitha këngët e saj, kanë përmbajtje “të errët” dhe i dedikohen shëndetit mendor.
Rexha në një intervistë ekskluzive të dhënë për Telegrafin, ka folur së fundi rreth përmbajtjes së këngëve të “Better Mistakes”, duke theksuar se synonte ndërgjegjësimin e njerëzve për ata që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor.
“Unë thjesht dua, e dini, njerëzit dhe fëmijët në të gjithë botën të mos ndihen vetëm dhe të dinë se ata janë të fortë dhe ata mund të kapërcejnë gjithçka për të cilën ata mendojnë. Dhe, thjesht doja të shkruaja këngë që i bëjnë njerëzit të mos ndihen sikur janë vetëm dhe mund të dëgjojnë këngët e mia dhe ta dinë që unë jam aty për ta”, ka thënë Bebe Rexha për Telegrafin.
E njëjta ka treguar gjithashtu se albumi në fjalë ishte paraparë të publikohej vitin e kaluar, por nuk ndjeu sikur ishte koha e duhur.
Ajo shprehet se u ndje keq që u detyrua të shtynte për një vit publikimin e këtij projekti, gjë që i bëri fansat e saj të padurueshëm.
“Po, u ndjeva vërtet keq. Jam ndjerë vërtet keq për këtë. E dini, fansat po mërziteshin. Ata po bëheshin të padurueshëm. Ata ishin si: “Eja, na sjell albumin”, dhe bëhej fjalë për albumin tim të dytë. Kështu që u ndjeva vërtet keq që i bëra fansat e mi të prisnin. Por ju e dini, unë desha të sigurohesha që ishte koha e duhur për ta publikuar atë”, ka thënë tutje 31-vjeçarja për Telegrafin.
Bebe Rexha përndryshe dy vite më parë kishte deklaruar hapur se vuan nga çrregullimi bipolar dhe se kjo është arsyeja pse mundohet të ngritë zërin për njerëzit që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor. /Telegrafi/