Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, publikoi pak ditë më parë klipin e këngës “You Can’t Stop The Girl”.
Kjo këngë e cila është kolona zanore e filmit të shumëpritur nga Disney, “Maleficent 2”,u prit mirë nga fansat dhe klipi i këngës ishte po aq përrallor sa edhe fabula e filmit.
Së fundmi, Rexha ka qenë e ftuar në emisionin shumë të ndjekur amerikan “The Ellen Show”, ku ka performiar ‘live’ këngën e saj më të fundit.
Me një interpretim korrekt dhe zërin e saj impozant, këngëtarja shqiptare bëri për vete publikun, ndërsa këndoi kolonën zanore.
E veshur me një fustan të zi elegant dhe të hapur në njërën këmbë, Bebe Rexha dukej mjaft tërheqëse për syrin e publikut.
“Unë gjithmonë kam dashur të bëj një shfaqje solo në The Ellen Show, dhe jam duke e bërë atë për një këngë fuqizuese, ishte e mahnitshme. Jam shumë mirënjohëse”, ka shkruar Bebe Rexha në një fotografi të publikuar para shfaqjes në Instagram.
Jo pak herë, këngëtarja shqiptare ka rrëmbyer vëmendjen e prodhuesve muzikorë për t’u bërë interpretuesja e kolonave zanore për filmat e tyre.
Kujtojmë që po këtë vit, 30-vjeçarja këndoi edhe një prej temave muzikore të filmit të animuar, shumë të shikuar nga fëmijët, “Ugly Dolls”. /Telegrafi/