Telegrafi

Bebe Rexha për këngën “I’m a mess”: Ajo tregon të vërtetën time, kam vuajtur nga ankthi dhe depresioni, por jo më

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, së fundmi publikoi klipin e këngës “I’m a mess”.

Kjo këngë ka qenë njëra ndër më të suksesshmet e albumit të saj më të fundit “Expectations”, i cili doli në shitje muajin e kaluar.

Kopertina e albumit “Expectations” nga Bebe Rexha

Kënga është punuar me muzikë dhe tekst nga vet këngëtarja, dhe siç thotë ajo, Bebe është shumë e lumtur për këtë këngë sepse tregon të vërtetën rreth saj.

Lexo po ashtu Shpallen nominimet për MTV Video Music Awards 2018 - Rita, Dua dhe Bebe Rexha dominojnë në disa kategori

Pasi ka publikuar klipin, këngëtarja Rexha në një postim të bërë në InstaStory dhe komentit primar në YouTube, ajo ka shkruar arsyet e vërteta që çuan drejt punimit të këngës “I’m a mess”.

Ndër të tjerash, ajo thekson se ishin dështimet ato që shërbyen si frymëzim, ngase dështimi është pjesë e pandashme e jetës së çdo njeriu, dhe tani është e lumtur që ka një projekt të tillë që e përmbyll me sukses.

“Unë kam qenë shumë e zëshme dhe e ndershme në lidhje me luftën time të vazhdueshme me ankthin dhe depresionin. Doja të krijoja një video dhe këngë që tregonte të vërtetën time. Kjo video është një festë për mua më në fund duke qenë në gjendje të pranoj papërsosmëritë e mia. Unë jam në rregull me faktin e të mos qenit në rregull gjatë gjithë kohës. Nëse ndjeheni i vetëm ose i humbur, ju lutem dijeni që nuk jeni, dhe ju jeni i dashur”, ka shkruar Bebe Rexha.

Foto: SC/Video “I’m a mess”/YouTube

Klipi i këngës është mjaft i veçantë, dhe po të shikosh me vëmendje transmeton gjithë mesazhin e këngës.

Në sekuencat e klipit “I’m a mess”, Bebe shfaqet në fillim teksa shtrohet në spital si e sëmurë mentalisht, teksa merr qetësues nga mjekja kujdestare, rolin e së cilës e luan po prapë këngëtarja.

Foto: SC/Video “Im a mess”/YouTube

Pasi gjithçka përfundon, ajo “zgjohet” bashkë me gjithë pacientët e tjerë dhe realizon një performancë vërtet të bukur dhe artistike.

Klipi përfundon me interpretimin e vargjeve të fundit të këngës nga këngëtarja, e cila është e rrethuar nga balerinët të cilët e kanë vendosur në qendër dhe ndriçojnë performancën e saj.

Foto: SC/Video “Im a mess”/YouTube

Menjëherë pas publikimit të klipi, “I’m a mess” ka arritur të renditet si kënga e dytë më në trend e momentit në YouTube, teksa ka filluar të rangohet lart edhe në shumë prej top listave ndërkombëtare. /Telegrafi/

Bebe Rexha (Foto: Getty Images)