Site icon Telegrafi

Bebe Rexha: Këngët e mia kanë miliarda dëgjime, por njerëzit ende nuk e dinë se kush jam

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, këto ditë ka shënuar një tjetër arritje të madhe në karrierën e saj.

Pas suksesit që shënoi bashkëpunimi i saj “I’m good (Blue)” me David Guettan, kënga në fjalë arriti që të nominohet në ceremoninë më të madhe të ndarjes së çmimeve, Grammy Awards 2023.

Bebe Rexha ka qenë shpesh e diskriminuar nga çmimet e muzikës, ani pse tri këngë të saj kanë mbi një miliard dëgjime, ajo shpesh nuk nominohej ose edhe në rastet kur nominohej rrallë shpërblehej me çmime.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Si rrjedhojë, ajo ka folur në një intervistë të fundit për EliteDaily për një video që kishte shpërndarë në TikTok, e cila shfaqte një vajzë që tregonte se Rexha është një nga emrat më të suksesshëm të muzikës, por që nuk njihet sa duhet.

Lexo po ashtu Bebe Rexha nominohet në Grammy Awards 2023

“Dua të them, është e çuditshme. Unë kam qenë në internet gjatë gjithë kohës. Dikur kisha një zemër prej çeliku. Pra, pashë atë video të vajzës që fliste për njerëz të famshëm që nuk janë vërtet të famshëm. Dhe e kuptoj plotësisht atë që ajo thotë sepse ka të drejtë, sikur unë kam tri këngë që janë me nga një miliard dëgjime secila. Unë kam një këngë të certifikuar me pllakatën diamant [“Meant to me” me Florida Georgia Line], ka vetëm 63 në të gjithë botën”, ka thënë Bebe Rexha.

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Ajo është kompozitore e disa prej hiteve më të mëdha ndërkombëtare si “The Monster” nga Rihanna dhe Eminem, mirëpo prapëseprapë e ka luksin e të bërit një jetë të thjeshtë.

“Dhe unë kam shkruar disa nga hitet më të mëdha në botë, dhe megjithatë njerëzit ende nuk e dinë se kush jam. Dhe unë jam në rregull me këtë. Për të qenë e sinqertë, më pëlqen të shkoj në [dyqanin ushqimor] “Ralph’s” dhe të blej biletat e llotos dhe të bëj pazar ushqimesh për qenin tim, dhe më pëlqen të mos vë makijazh. Më pëlqen të vesh të njëjtën veshje çdo ditë në studio, si dhe të bëj pazar”, ka thënë artistja shqiptare për EliteDaily.

Lexo po ashtu Bebe Rexha hidhet përpjetë nga gëzimi kur kupton se është nominuar për çmimin 'Grammy'

Përndryshe, tri këngët e Bebe Rexhës që kanë mbi një miliard dëgjime në Spotify janë: “Meant to be”, “In the name of love” dhe “Me, myself and I”. /Telegrafi/

Exit mobile version