Bebe Rexha duket e mrekullueshme në festën e promovimit të albumit, ndërsa pozon me të dashurin dhe prindërit
Butrint Avdyli
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka pak ditë që ka publikuar albumin e saj më të ri, “Bebe”.
Ajo e ka vetë-titulluar albumin e tretë në karrierën e saj, pasi siç është shprehur vet artistja shqiptare, është koha që tashmë të gjithë ta njohin kush është Bebe Rexha.
33-vjeçarja e festoi publikimin e albumit të saj të ri “Bebe” në një ndejë të madhe të organizuar në Los Angeles.
E veshur me një kostum prej lëkure ngjyrë rozë, Rexha është dukur mjaft atraktive dhe tërheqëse në mbrëmjen promovuese të projektit të saj më të ri.
Pjesë e mbrëmjes kanë qenë stafi i saj, bashkëpunëtorët, familja dhe i dashuri i saj prej disa vitesh, Keyan Safyari.
Këngëtarja me origjinë shqiptare nuk ka hezituar që të realizojë fotografi të ndryshme me të gjithë të ftuarit, të cilët ndodheshin aty në përkrahje të saj.
Albumi “Bebe” i Bebe Rexhës ka gjithsej 12 këngë, mes të cilave janë tri bashkëpunime shumë të suksesshme.
“I’m Good (Blue)” me David Guettan është bashkëpunimi shumë i suksesshëm që është pjesë e këtij albumi, si dhe “Seasons” me Dolly Parton dhe “Satellite” me Snoop Dogg. /Telegrafi/