Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha, të mërkurën dha lajmin e madh se po ndërpret turneun e saj amerikan, për të ardhur për dy ditë në Shqipëri.
Ajo do të jetë pranë bashkëkombësve të saj, për të ndihmuarit të prekurit nga tërmetet në këto ditë të vështira.
Ndërkohë, artistja me prejardhje nga Dibra ka bërë të ditur se ka hapur një fondacion online në GoFundMe, me mundësi dhurimi deri në 50 mijë dollarë.
Vet këngëtarja ka dhuruar nga xhepi i saj 10 mijë dollarë, që do të shkojnë për normalizimin e situatës nga tragjedia në Shqipëri.
“Do marr dy ditë pushim dhe do të shkoj në Shqipëri dhe personalisht do t’u jap njerëzve ushqim, ujë, të ju ndihmoj në ndërtimin e shtëpive të reja. Të sigurohem se çdo monedhë do të shkojë në vendin e duhur. Çdo dollar do të ndihmonte. Edhe nëse ju vetëm do ta ndani linkun e llogarisë së GoFundMe. Linku është më lart”, ka njoftuar 30-vjeçarja përmes një video të publikuar në rrjetin social Instagram.
E njëjta ndërkohë, publikoi në InstaStory linkun nga ku mund të ndihmojë çdokush online.
Ajo u bëri thirrje afro 10 milionë ndjekësve të saj në rrjetin social Instagram që t’i bashkohen këtij fondacioni për të ndihmuar Shqipërinë në këto ditë të vështira.
Shqipëria ka nevojë për ndihmën tonë! Ju lutem tërhiqni linkun për të dhuruar dhe shpërndarë këtë faqe të fondacionit”, kanë qenë fjalët e artistes shqiptare në InstaStory.
Mbështetje për të dhuruar donacione për popullin shqiptar ka shprehur një ditë më parë edhe këngëtarja tjetër shqiptare e famshme ndërkombëtarisht, Rita Ora, e cila këtë mbështetje e ka shprehur përmes rrjeteve sociale. /Telegrafi/