Ceremonia e ndarjes së çmimeve ‘MTV EMA 2022’ zuri vend mbrëmë (e diel) në Dussedorf të Gjermanisë ku yje të shumtë të muzikës ndërkombëtare paraqiten me veshje të guximshme dhe unike.
Dhe ky vit nuk ishte ndryshe, pasi tapeti i kuq u vërshua sërish me pamje mahnitëse, duke përfshirë edhe këngëtaren shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila u shfaq me një kostum kadifeje me ngjyrë të kaltër.
Për paraqitjen sa të veçantë aq edhe unike të artistes u përkujdes kreatorja e famshme shqiptare, Fjolla Nila, që tashmë njihet edhe ndërkombëtarisht për kreacionet e saj.
Këngëtarja 33-vjeçare mori gjithë vëmendjen me një veshje me ngjyrë të njëjtë nga koka te këmbët me një pjesë në formë gjetheje që e rrethonte.
Bukuroshja bionde u duk e veçantë me prerjen prej korseje, e cila ngrihej mbi kokën e saj dhe përfundonte në gjunjë.
Dukja e yllit të hitit “Meant to Be” u bashkua me një palë taka të koordinuara në mënyrë perfekte me kostumin.
Bebe – emri i plotë i të cilës është Bleta Rexha përveç që shkëlqeu gjatë hyrjes në ceremoni ishte gjithashtu fituese e çmimit “Bashkëpunimi më i mirë” për këngën “I’m Good (Blue)” me David Guettan dhe gjithashtu u ngjit në skenë për të performuar. /Telegrafi/