Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses së fundmi në karrierën e saj.
Ajo është shpërblyer me çmim në një prej ngjarjeve më të mëdha të vitit, MTV Video Music Awards, duke u bërë shqiptarja e dytë në botë pas Rita Orës që fiton këtë çmim.
Bebe Rexha ka triumfuar në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, e cila njëherësh ishte kategoria e vetme në të cilën ishte nominuar.
Ajo e fitoi këtë çmim për këngën e saj shumë të suksesshme “Call you mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers, gjersa ishte e nominuar edhe për këngën tjetër “Say my name” në bashkëpunim me David Guettan dhe J Balvin.
https://www.youtube.com/watch?v=-RZC6s7v8UI
Duke triumfuar në këtë kategori, Bebe Rexha ka lënë prapa këngët e tjera në nominim si: “Solo” nga Clean Bandit dhe Demi Lovato, “Taki taki” nga DJ Snake, Selena Gomez, Ozuna & Cardi B, “Happier” nga Marshmello & Bastille, dhe këngën “Electricity” të kënduar nga shqiptarja tjetër e famshme, Dua Lipa, në bashkëpunim me Silk City.
E veshur me një fustan të shkurtër ngjyrë hiri dhe plot shkëlqim, këngëtarja 29-vjeçare është dukur tejet elegante dhe plot glamur në mbrëmjen e MTV VMA.
Kujtojmë që të njëjtin çmim, “Kënga më e mirë ritmike”, e kishte fituar vitin e kaluar këngëtarja tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, e cila njëherësh është mike shumë e mirë e këngëtares.
Bebe Rexha ka pozuar më pas me trofenë e “njeriut me hënë”, në tapetin e kuq duke bërë akrobaci të ndryshme me ç’rast ka treguar se është ndarë e kënaqur që ka pasuruar karrierën e saj me një trofe kaq të rëndësishëm. /Telegrafi/
Imazhe të tjera nga paraqitja glamuroze e Bebe Rexhës në MTV Video Music Awards 2019: