Telegrafi

Beatrix Ramosaj proteston për 11-vjeçaren në Tiranë me banderolën “Si thuhet në shqip: Jo domethënë jo?”

Në Tiranë sot (e mërkurë) është organizuar protestë për rastin famëkeq të përdhunimit të një 11-vjeçareje nga pesë persona gjatë këtyre ditëve në Kosovë.

Pjesë e protestës kanë qenë edhe shumë figura publike si këngëtaret Beatrix Ramosaj dhe Filloreta Raçi – Fifi, aktoret Monika Lubonja dhe Arjola Demiri, prezantuesja Bora Zemani e shumë të tjerë.

Mes protestuesve, Beatrix Ramosaj tërhoqi vëmendjen e të gjithëve pasi mbante një banderolë shumë të veçantë në duar.

Ajo kishte shkruar “Si thuhet në shqip jo domethënë jo?”, e cila është ironi e frazës së saj të famshme në shtëpinë e Big Brother, ku në një moment ishte shprehur: “Si i thonë ‘e bukur’ në shqip”.

Këngëtarja me origjinë nga Podujeva publikoi disa fotografi nga protesta në llogarinë e saj zyertare në Instagram, ku ndër të tjerash shihej duke mbajtur lart pankartën e veçantë.

Foto: Beatrix Ramosaj/Instagram

“Jo domethënë jo! Në protestën sot provova shumë emocione. Dhembshuri, dhimbje, inat. Di të them vetëm që edukoni djemtë tuaj, sepse vajzat nuk duhen të ruhen nga asgjë”, shkroi Ramosaj në mbishkrimin e postimit të saj.

Kujtojmë që protesta për rastin e 11-vjeçares së dhunuar ka qenë masive ditën e së mërkurës edhe në Prishtinë. /Telegrafi/