Site icon Telegrafi

BE-ja mbështet Serbinë për muri – nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t’i bllokohet procesi i anëtarësimit

Bashkimi Evropian i ka vendosur kushte Serbisë, për Kosovën.

Siç raporton Euronews, Serbia ose duhet të lejojë përfshirjen e Kosovës në organizatat kryesore ndërkombëtare ose të ballafaqohet me pezullimin e aspiratave të saj për të u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Sipas mediumit ndërkombëtar, rruga e Serbisë drejt BE-së tani është direkt e lidhur me pëlqimin e heshtur për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tilla si OKB-ja dhe Këshilli i Europës.

Ky vendim erdhi në dritë pasi ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, të mbledhur në Luksemburg më 22 prill, ranë dakord të ndryshojnë një pjesë kyçe të Kapitullit 35, i cili merret me negociatat e Serbisë për anëtarësim.

Beogradi deri më sot ka qenë kundër asaj që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, duke pasur frikën se një gjë e tillë do të implikonte njohjen e saj si shtet.

Në dorë të Qeverisë Serbe mbetet tani të zgjedhë mes njohjes së indirekte të shtetit të Kosovës përmes anëtarësimit të saj në këto organizata ose të frenojë ambiciet për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.

Vendimi i ministrave të Jashtëm i shton presionin mbi një marrëveshje të re të Ohrit, e cila synon të “normalizojë” marrëdhëniet e tensionuara që nga dekadat e fundit mes dy shteteve.

Marrëveshja e Ohrit, e cila u nënshkrua në pranverën e vitit 2023, u shihet si një rifirmim i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Kjo marrëveshje njohu autoritetin qeverisës të institucioneve kosovare, por deri më sot vetëm disa nga zotimet janë zbatuar nga të dy palët.

Një nga aspektet kritike të marrëveshjes së re është se Serbia duhet jo vetëm të shmangë bllokimin e Kosovës në rrugën e saj ndërkombëtare, por edhe të njohë dokumentet zyrtare administrative si targat dhe pasaportat kosovare.

Kushtet e reja që janë vendosur nga BE-ja paraqesin një dilemë të vështirë për Beograd – është një sfidë e re politike që kërkon nga liderët politikë dhe shoqëria serbe të përballet me një zgjedhje të rëndësishme: të nisë një proces të njohjes së ngadaltë dhe progresive të Kosovës ose të heqë dorë nga perspektiva e anëtarësimit në BE.

Kjo situatë e re diplomatike dhe politike që po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor është një element thelbësor që do të përcaktojë rrugëtimin dhe marrëdhëniet e ardhme mes Serbisë, Kosovës dhe BE-së, duke pritur të shohim se si do të vepronte Beogradi në ditët dhe muajt e ardhshëm./Telegrafi/

Exit mobile version