Site icon Telegrafi

BDI e ofenduar nga “fshesa” e Zaevit, Osmani paralajmëron takim mes Ahmetit dhe kryeministrit

Paralajmërimet e kryeministrit Zoran Zaev, se do të përdoret “fshesë” në kabinetin qeveritar dhe do të largohen disa funksionarë, ka shkaktuar pakënaqësi tek partia shqiptare në pushtet BDI.

Zëdhënësi i kësaj partie dhe zv.kryeministër për Çështje Evropiane në Qeverinë e Zaevit, Bujar Osmani, sot në një konferencë të organizuar për integrimet evropiane, tha se termi “fshesë” i përdorur nga kryeministri Zoran Zaev, është i rëndë dhe ofendim për bashkëpunëtorët në qeveri, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Termi ‘fshesë’ është i papërshtatshëm për shkak se bashkëpunëtorët tanë qoftë në qeveri ose parti politike mund të jenë pjesë e ndryshimit të pozitave, por ata nuk janë lëndë e fshesës dhe mendoj se kjo është ofenduese për bashkëpunëtorët e cilësdo parti politike”, deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Ai gjithashtu ka thënë se do të ketë takim mes Ali Ahmetit dhe Zoran Zaevit, në të cilin do të diskutohet për rikonstruimin e kabinetit qeveritar.

“Këto ditë do të ketë takim mes Zaevit dhe Ahmetit, në të cilin do të diskutohet për paralajmërimet e rikonstruimit të kabinetit qeveritar. Do të konfirmohet kush do të largohet, e kush do të ndryshojë resorin. Gjithashtu do të bisedojnë për çështje aktuale në vend dhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale”, tha Osmani.

Në ndërkohë në opinion janë spekuluar disa emra të funksionarëve të cilët pritet të largohen nga qeveria. Jozyrtarisht mësohet se do të ketë 15 ndryshime në pozitat udhëheqëse, në mesin e të cilave në Ministrinë e Arsimit, të Bujqësisë, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.

Ndërsa i zbrazët mbetet edhe posti i Ministrisë së Kulturës, pasi ditë më parë Asaf Ademi njoftoi se do të dorëhiqet për arsye shëndetësore./Telegrafi/

Exit mobile version