Site icon Telegrafi

BBC publikon pagat, pabarazi e thellë gjinore

Britanikja BBC ka zbuluar ekzistencën e një hendeku mes pagave të personaliteteve kryesore meshkuj dhe femra të saj kur transmetuesi shtetëror publikoi për të parën herë listën e pagave të punonjësve të saj.

Korporata 95-vjeçare, tha se Chris Evans, prezantues në radio dhe televizion, që ka drejtuar “Top Gear” për një sezon, ishte në krye të listës me rreth 2.25 milionë paundë ose 3.3 milionë dollarë të fituar në periudhën 2016-2017.

Në kontrast, femra më e paguar është prezantuesja Claudia Winkleman, që ka fituar më pak se gjysmë milioni paundë për punën e saj në emisionin “Strictly Come Dancing” dhe spektakle të tjera.

Drejtori i përgjithshëm i BBC, Tony Hall, duke justifikuar këtë hendek, tha se objektiv i korporatës është që të arrihet barazi në ekran dhe në radio deri në 2020-ën.

Ai tha se BBC duhet të paguajë personalitetet në mënyrë që të konkurrojë me stacionet televizive komerciale me buxhete më të mëdha, transmeton tch.

“Ne duhet të punësojmë prezantuesit më të mirë, korrespondentët më të mirë, yjet më të mirë..,jemi në një treg shumë konkurrues”, u shpreh Tony Hall.

BBC ka qenë nën presion prej vitesh që të zbulonte se sa fitojnë prezantuesit kryesorë të saj dhe detyrimi për të publikuar emrat dhe shifrat respektive ishte pjesë e marrëveshjes për financimin 10-vjeçar me qeverinë. BBC financohet përmes pagesave të shikuesve, të cilët derdhin për të rreth 191 dollarë në vit.

Exit mobile version