Hakmarrja llogaritet se është një pjatë që shërbehet në të ftohtë dhe në Shqipëri ajo mund të servohet në të vërtetë shumë ftohtë.
Mosmarrëveshjet që njihen si gjakmarrje mund të përhapen në gjenerata, duke tretur pasardhësit të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me fyerjen apo krimin origjinal, nis një shkrim i BBC-së, përcjellë Klan Kosova.
Thuhet se ato kanë një histori, por që gjakmarrja mbetet e fuqishme edhe në ditët e sotme. Janë 68 familje në rajonin e Shkodrës në veri të Shqipërisë që tash për tash e kanë të pamundur që të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të gjakmarrjes.
“Kemi vizituar Nikon, një 13 vjeçar, në fshatin e tij të vogël në veri të Shqipërisë. Niko ka thënë se është “në gjak”, nën kërcënimin e vdekjes për “krimet” e supozuara të kryera para se ai të ketë lindur”.
“Niko jeton me gjyshërit e tij dhe është në rrezik çdo kohë kur del nga shtëpia. Dhjetëra familje të tjera ne veri të Shkodrës në Shqipëri jetojnë po ashtu në arrest shtëpiak të vetë imponuar nga frika e humbjes së jetës”.
“Ne kemi marrë rrugë dhe kemi shkuar edhe me varkë për ta vizituar Nikon, në komunitetin e izoluar nga mësuesja, Liljana Luani”, shkruan BBC.
Zonja Luani e specializuar për mësim “për fëmijët në gjak” jep mësim në shtëpitë e tyre. Gjakmarrja nënkupton se ata nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre, qoftë edhe për të ndjekur mësimin.
Rregullat e gjakmarrjes për një kohë të gjatë janë kodifikuar në një libër me ligje, të quajtur Kanun, që daton nga shekulli i 15. Kanuni ka ndihmuar në sjelljen e rendit në jetën e fiseve në veri të Shqipërisë, praktikisht gjatë kohës kur ajo ishte nën okupimin e Perandorisë Osmane.
Zonja Luani ka thënë se kanuni shpesh është abuzuar nga ata të cilët janë përfshirë në gjakmarrje.
“Nëse ndjekin ligjet e kanunit…ata nuk do të duhej të vrisnin fëmijë dhe gra. Por ditët e stome as kanuni as ligjet e shtetit nuk po respektohen”, ka thënë ajo.
“Ka pasur raste kur janë vrarë edhe gra dhe fëmijë. Mendoj që autoritetet shtetërore të zbatimit të ligjit do të duhej të bënin më shumë, pasi nuk po punojnë siç duhet”, ka thënë Luani.
Gjakmarrja që përfshin familjen e Nikos, filloi vetëm pak pas krizës së thellë ekonomike në Shqipëri të shkaktuar nga kolapsi i të ashtu quajturave skema piramidale. Kaosi shkaktoi kolapsin e besimit në institucionet shtetërore dhe në drejtësi.
Ngatërresa e kësaj familjeje me një familje tjetër në fshat kishte të bënte me një tokë. Një anëtar i familjes kishte vrarë një fqinjë. Kjo çoi në tjetër ngatërresë që përfshiu komunitetin pranë.
Nga aty asnjëri prej prindërve të Nikos së vogël nuk jeton në shtëpinë e familjes, duke e lënë atë të rritet me gjyshërit pranë shtëpive të familjeve që janë të përfshira në ngatërresë.
Zonja Luani ka treguar se Niko di diçka për ngatërresën.
“Ai dëgjon të tjerët tek flasin për çështjet e përfshirjes në ngatërresë. Por çka i duhet atij është të qëndrojë i heshtur. Por mund të thoni se ai është i zemëruar. Ai e di se është në “gjak” dhe shprehja shkon që jeta e tij është në rrezik dhe se ai duhet për të qenë i kujdesshëm.
Koloneli Gjovalin Loka, shef policie në rajonin e Shkodrës, ka thënë se ka bërë gjithçka për të parandaluar dhe hetuar gjakmarrjet.
“Intensivisht po hetojmë shkaqet e vrasjeve të mundshme si rezultat i gjakmarrjes”, ka thënë ai.
“Dhe ne kemi intervenuar me marrjen e informatave për përgatitjet që po bëheshin për thyerje të ligjit”.
Kolonel Loka u ankua që njerëzit po e keqpërdornin kanunin, duke shtuar: “Njerëz të ndryshëm interpretojnë atë në mënyra se ai atyre u përshtate. Nuk implementohet siç duhet”.
“Tash ne kemi të bëjmë me ligjet moderne të shtetit të Shqipërisë – që janë në përputhje me ligjet e Evropës. Koha e kanunit ka mbaruar. Ai duhet vënë vetëm në arkiva”.
Ka një koncenzus për vazhdim të reformës shtetërore dhe institucionet e drejtësisë duhet të përparojnë në çrrënjosjen e gjakmarrjes në Shqipëri.
Dr. Olsi Lelaj, një hulumtues në Institutin e Antropologjisë Sociale dhe Studimit të Artit në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ka thënë se “Nuk është problem i të pasurit institucione vetëm shtetërore, sesa të pasurit e institucioneve të forta shtetërore. Është punë e drejtësisë dhe një drejtësi që është e ndarë për të gjithë”.
Ndërkohë, zonja Luani vazhdon të brengoset për të ardhmen e Nikos.
“Mendoj që është një problem që mund të zgjidhet nga të gjithë ne. Unë punoj shumë me prindërit, veçanërisht me nënat e fëmijëve sepse nënat janë ato që mësojnë dhe kalojnë përtej tolerancës, faljes dhe si duhet falur dhe për të mos vazhduar ciklin e dhunës’, thotë ajo.