Vincent Kompany ka marrë drejtimin e Bayernit disa ditë më parë dhe ai tani po synon që ta ndërtojë një skuadër konkurruese.
Pritet shumë lojtarë të largohen nga Bayerni, derisa Kompany ka për detyrë ta përmirësojë mbrojtjen, repart ku bavarezët kanë çaluar sezonin e kaluar.
Bavarezët kanë hapur bisedimet me Chelsean për mbrojtësin e talentuar anglez, Levi Colwill.
Gazetari i njohur gjerman Florian Plettenberg, ka konfirmuar se klubi bavarez ka treguar interes serioz për të riun anglez, i cili është shfaqur si një alternativë e mundshme për Jonathan Tah.
Mbrojtësi i ri ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve me emra të mëdhenj, duke përfshirë Liverpool dhe Paris Saint-Germain, por tani duket se Bayern Munich po udhëheq garën për nënshkrimin e tij.
Kërkimi i Bayernit për një qendërmbrojtës të ri është për shkak të paraqitjeve jokonsistente të Dayot Upamecano dhe Kim Min-jae, si dhe pasigurisë që rrethon të ardhmen e Matthijs de Ligt në Allianz Arena.
Nuk do të jetë aspak e lehtë nënshkrimi me anglezin, pasi Chelsea e vlerëson shumë atë dhe nuk dëshiron t’i humbas shërbimet e tij. /Telegrafi/