Bayern Munichu është shumë pranë kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores prej 3-0 si mysafir i Chelseat në ndeshjen e parë të të tetës së finales që u zhvillua në Stamford Bridge.
Thomas Muller i pati dy shanse të mira në gjysmën e parë, në njërin prej të cilëve e goditi shtyllën. Nga ana tjetër, një depërtim fantastik e bëri Marcos Alonso, por goditja finale nuk ishte e duhura.
Me gjithë rastet e të dyja skuadrave, në pjesën e parë nuk pati gola, ashtu që ekipet shkuan në zhveshtore me rezultatin e fillimit të ndeshjes.
Fillimi i gjysmës së dytë ishte fatal për Blutë. Bavarezët i shënuan dy gola të njëpasnjëshëm, ndërsa në të dyja rastet ishin të përfshirë të njëjtit futbollistë.
Robert Lewandowski dhuroi një asistim të mrekullishëm te Serge Gnabryt, i cili doli para portës së zbrazët në golin e parë (51’), ndërsa në realizimin e dytë (54’), sulmuesi polak sërish ishte fantastik me asistimin e tij drejt anësorit gjerman, i cili kësaj radhe e mposhti portierin Wlfredo Caballero.
Mysafirët nuk u ndalën këtu, ata e shënuan edhe golin e tretë. Lewandowski e shënoi golin e tij të merituar (76’), ndërsa gjithë punën e kreu Alphonso Davies, i cili e dhuroi asistimin.
Kah fundi i ndeshjes (83’), vendasit mbetën edhe me një lojtar më pak në fushë, meqë Marcos Alonso u përjashtua me karton të kuq pas konsultimit të sistemit VAR.
Fitorja prej 3-0 si mysafir e bën Bayern Munichun favorit absolut për t’u kualifikuar në çerekfinale në dëm të Chelseat. Sidoqoftë, duhet të zhvillohen edhe 90 minutat e mbetura në Allianz Arena. /Telegrafi/