Vazhdojnë negociatat mes Bayern Munich dhe Barcelonës për transferimin e Robert Lewandowskit, por bavarezët kanë refuzuar edhe një tjetër ofertë të katalanasve.
Barcelona dështoi edhe në ofertën e dytë për Robert Lewandowskin, pasi Bayern Munich e refuzoi atë, duke kërkuar më shumë para, shkruan Sport1.
Katalanasit ofruan 32 milionë euro, plus 5 milionë tjera formë bonusi për sulmuesin polak, por bavarezët kërkojnë të paktën 40 milionë euro. Palët duken afër, por Bayern kërkon që çmimi i plotë prej 40 milionë euro të paguhet menjëherë.
Negociatat paralele të Bayern Munich me Liverpoolin për Sadio Manen po vazhdojnë dhe kjo gjë shkon në të mirë të Barcelonës, pasi kampionët e Gjermanisë ende nuk kanë arritur të gjejnë marrëveshje me anglezët për sulmuesin senegalez.
Oferta e parë e Barcelonës ishte 30 milionë euro për reprezentuesin 33-vjeçar polak, i cili ka kontratë me Bayern Munich deri në verën e vitit 2023.
Lewandowski ka deklaruar se dëshiron të largohet nga Bayern Munich dhe Barcelona është klubi që ai dëshiron të vazhdojë karrierën./Telegrafi/