Site icon Telegrafi

Bayern Munich fiton garën me Barcelonën për mbrojtësin Mazraoui

Noussair Mazraoui mund të quhet një futbollist i ri i Bayern Munichut, edhe pse mungon ende njoftimi zyrtar.

Mbrojtësi i djathtë maroken ka pasur paraqitje fantastike me Ajaxin në dy vitet e fundit dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave më të mëdha evropiane.

Barcelona, Milan, Roma, Borussia Dortmund dhe Bayern Munich kanë shprehur interesim për transferimin e lojtarit dhe gara si duket është fituar nga gjiganti gjerman.

Mediat e ndryshme në Gjermani kanë raportuar se Bayerni ka fituar garën me skuadrat e tjera duke siguruar shërbimet e anësorit maroken.

Mazraoui besohet se ka kaluar edhe testet mjekësore te Bayerni dhe se ka arritur tanimë marrëveshje për kontratën e cila pritet të jetë pesë vjeçare.

Reprezentuesi maroken do të largohet nga Ajaxi në fund të sezonit si futbollist i lirë, pasi kontrata me gjigantin holandez i skadon më 30 qershor.

Lexo po ashtu Nga Ibrahimovic te Pogba, Haaland e De Ligt, lojtarët që menaxhoheshin nga Raiola kanë marrë tanimë vendimin se çfarë do të bëjnë në të ardhmen

Mazraoui ka arritur marrëveshje personale me Bayernin ku do të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare nga e cila do të fitojë pagë vjetore prej tetë milionë eurove bruto.

Zyrtarizimi i marokenit si futbollist i ri i Bayernit pritet të bëhet gjatë javëve të ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version