Telegrafi

Baxhuku: Vendosja e sinjalistikave rrugore, nuk kërkon studime (Video)

Eksperti i komunikacionit, Visar Baxhuku ka thënë se edhe në të kaluarën kur kanë ndodhur aksidente tronditëse janë marrë disa masa të përkohshme dhe më pas është harruar gjithçka.

Ai në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se inspektorët e komunikacionit do të ishin më të përshtatshëm sesa inxhinierët për të qenë pjesë e ‘Task Forcës’.

“Inspektorët e komunikacionit do të ishin më të përshtatshëm se inxhinierët sepse ata operojnë ndoshta prej dhjetë vitesh në komunikacion dhe e njohin terrenin më mirë”, tha ai.

Baxhuku ka thënë se fatkeqësisht strategjia për rritjen e sigurisë rrugore ka shumë mangësi.

“Strategjia për rritjen e sigurisë rrugore ka shumë mangësi, sepse ka mungesë të matjeve. Rezultate nuk kam parë”.

Eksperti i komunikacionit ka thënë se edhe qendrat e kontrollit teknik duhet të monitorohen.

Ai ka thënë se një mori institucionesh kanë përgjegjësi, për numrin e madh të aksidenteve në rrugët e Kosovës.

“Mungesa e studimit, për mua është një problem i madh”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Baxhuku ka thënë se rruga Prishtinë – Podujevë është njëri prej akseve më të rrezikshëm që po sjell aksidente.

Eksperti ka thënë se institucionet duhet t’i kryejnë detyrat dhe gjendja do të përmirësohet.

“Nuk kërkohet studime, për të vendosur sinjalistikat në rrugë, apo rivendosja e vijave të bardha që shpesh fshihen dhe nuk e di a ke qenë në shiritin tënd apo jo”, deklaroi Baxhuku./Telegrafi/