Përfaqësues të partive të ndryshme politike gjatë fundjavës kanë reaguar lidhur me një deklaratë të kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit për Prizrenin, gjatë tubimit elektoral në qytetin e vjetër.
Sipas tyre, batutat e kryeministrit për Prizrenin kanë qenë të pahijshme.
“Kryeministri Kurti paska zgjedhur humorin si “program qeverisës”. Por këtë herë e ka kthyer në një farsë ofenduese për Prizrenin dhe qytetarët e tij! Në fjalimin e tij, ndër të tjera, kryeministri pati guximin ta quante qytetin e Lidhjes pra Prizrenin “kryeqytet të furrtarëve, pekmezit të dardhave dhe ëmbëltoreve të goranëve”. Në vend që ta nderonte Prizrenin si Kryeqytetin Kulturor të Kosovës, ai vendosi ta trajtojë me batuta të pahijshme”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Prizren, raporton Telegrafi.
Ky subjekt ka vlerësuar se furrtarët e Prizrenit janë simbol i punës së ndershme dhe traditës që ka ushqyer çdo kënd të Kosovës dhe se pekmezi i dardhave është një krenari e gastronomisë që shijon secili që viziton qytetin. “Por kryeministri duket se nuk e kupton se këto elemente janë pasuri, jo objekt talljeje”.
Tutje është theksuar se Prizreni është kryeqyteti i kulturës dhe jo i talljeve politike.
“Prizreni nuk është vendi i batutave të pakripë të kryeministrit, por një qytet që ka dhënë aq shumë për kulturën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Nuk ka nevojë për batuta ofenduese për të tërhequr vëmendjen”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së.
Ndërkaq kryetari i degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha ka vlerësuar se ky qytet nuk është kryeqytet i “pekmezit”.
“Prizreni është një qytet me një histori dhe trashëgimi të pasur kulturore, nuk është kryeqytet i “Pekmezit” siç mendon ai që është duke shkelur dhia, por kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”, është shprehur Berisha, raporton Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka reaguar në mënyrë të tërthortë duke shprehur qëndrimin se Suhareka është e kampionëve, e zhvillimit ekonomik dhe se thjeshtë është si rrush.
Ilir Baldedaj i LDK-së ka shprehur qëndrimin se qytetarët e Prizrenit nuk janë “pekmez”.
“Qytetarët e Prizrenit, janë qytetarë të Lidhjes së Prizrenit, janë qytetarë të qytetit shembull për qytetari e mirësjellje, janë qytetarë punëtorë e atdhedashës, të cilët ti si kryeministër për këto katër vite nuk i përkrahe asnjëherë. Je kryeministër nënçmues i popullit që të votoi”, ka theksuar Baldedaj, raporton Telegrafi.
Për dallim prej tyre, Qendra e LVV-së në Prizren ka sqaruar se kur kryeministri Kurti flet për Prizrenin “këtë e bënë me dashuri dhe respekt të thellë për vlerat historike, kulturore dhe shpirtërore që ky qytet i ka dhuruar Kosovës dhe më gjerë”.
“Përpjekjet për keqinterpretimin e fjalëve të tij, nuk kanë sukses, sepse Prizreni e di të vërtetën, sepse Prizreni e do Kryeministrin, ashtu siç Kryeministri e do Prizrenin”, thuhet në reagimin e LVV-së të shoqëruar me videon e fjalimit të plotë të Kurtit.
Kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti gjatë fjalimit gjysmë orësh në tubimin paraelektoral në qytetin e vjetër pos tjerash ka thënë se “Prizreni i juaj e Prizreni ynë i dashur për të gjithë, është kryeqytet i furrtarëve nga Hasi, i ëmbëltorëve goran, i peshkatarëve nga Kukësi, i bujqve nga Anadrini, i pekmezit të Rahovecit, apo edhe i pekmezit të dardhave të Suharekës”. /Telegrafi/